Maqedoni
Marrëveshja e Përzhinës, mosrespektimi i afateve rrezikon zgjedhjet
07.10.2015 16:06
Mosrespektimi i afatit të paraparë në Marrëveshjen e Przhinos, që deri më 6 tetor të arrihet marrëveshje për Kodin Zgjedhor...

Mosrespektimi i afatit të paraparë në Marrëveshjen e Przhinos, që deri më 6 tetor të arrihet marrëveshje për Kodin Zgjedhor, vë në pikëpyetje kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në prill të viti të ardhshëm, vlerëson analisti, Naser Zyberi.
Sipas tij, ngecja në bisedimet e Grupit punues sinjalizon për mungesën e sensit dhe gatishmërisë politike të aktorëve në tryezën e bisedimeve për të gjetur një marrëveshje për çështje të rëndësishme, siç është Kodi Zgjedhor, Lista Zgjedhore, përbërja dhe struktura e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
“Sigurisht ka edhe shumë pika tjera që duhet të diskutohen dhe prandaj prolongimi i një afati, gjegjësisht mosrespektimi i një afati në mënyrë vargore shkakton edhe vargun e prolongimeve të afateve tjera, sepse ngushtohet hapësira për të diskutuar temat një nga një, ashtu siç ishte paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos. Kjo sigurisht për konsekuencë të fundit ka edhe shkaktimin eventual të prolongimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që mund të jetë edhe qëllimi i VMRO-DPMNE-së. Në qoftë se vazhdohet kështu, siç ishte tendenca që në mënyrë joprocedurale të futen siç ishte tema për censurimin e shpalljes dhe publikimit të përmbajtjes së përgjimeve, atëherë palët do të merren më tepër me çështje anësore dhe jo me atë që është përmbajtje e Marrëveshjes së Përzhinos”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
Sipas Marrëveshjes së Przhinës, deri më 15 tetor duhet të bëhet rikonstruimi i Qeverisë dhe më pas vjen edhe dorëheqja e kryeministrit, por, sipas Zyberit, ky afat kohor është tepër i shkurtër dhe grupet e punës duhet të fillojnë të punojnë në mënyrë intensive për mosshkeljen e afateve të tjera të marrëveshjes.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
