Maqedoni

Kuvend, vazhdon debati i ashpër për testimin ekstern

07.10.2015 16:32

Pas një debati të ashpër midis përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, Kuvendi hodhi poshtë propozimin për ndryshimin e Ligjit në arsimin fillor, që ka të bëjë kryesisht me pezullimin e testimit ekstern...

Edhe në vazhdimin e seancës së 67-të, pushteti edhe opozita kanë vazhduar të mbrojnë qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta lidhur me gjendjen në arsim.   
 
“Nuk dhatë argumente të reja se pse po kërkoni të pezullohet testimi ekstern. Mendojmë se ky ligj është populist, me anë të cilit mendoni që t’u ofroheni punëtorëve dhe arsimit, me ç’rast po i manipuloni nxënësit dhe të punësuarit pa menduar fare për nevojën e objektivitetit gjatë notimit dhe cilësisë. Qëndrimi ynë është i qartë, testimi ekstern duhet  patjetër të vazhdojë. Gjithashtu themi se ka dobësi dhe të njëjtat duhet të  përmirësohen”- deklaroi Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.
 
“Lëshuat shansin historik që të tejkaloni veten dhe për një moment të harroni përkatësinë politike në mënyrë që t’i jepni mundësi arsimit për ta kthyer në këmbë të shëndosha, pa e ndërlidhur politikën me të. Prandaj mund të them lirisht se po vazhdon politika humbëse, të cilën po e zbaton kjo qeveri së bashku me Ministrinë e Arsimit, të cilët nëpërmjet një numri të madh të ndryshimeve gjatë periudhës së kaluar kanë bërë që arsimi të ndodhet në shkallën më të ulët që nga pavarësimi i Maqedonisë”- tha Nikoliç Lubisha nga LSDM.
 
Përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës kanë vazhduar debatin lidhur me propozimin e grupit parlamentar të LSDM-së për ndryshime në Ligjin për arsimin e mesëm, i cili gjithashtu ka të bëjë kryesisht me pezullimin e testimit ekstern.
 
Sipas opozitës, këto reforma janë të dështuara, ku në bazë të këtij koncepti do t’i jepet edhe goditja e fundit arsimit, ndërkohë deputetët e VMRO-DPMNE-së përsëri e kanë mbrojtur testimin ekstern si një koncept i sigurt në procesin mësimor, sipas tyre këtë opozita e bën për të fituar pikë politike.
 
NAIM RAMADANI