Propozim-ligji për “bombat”, reagojnë RDK, “Besa” dhe LR në PDSh

07.10.2015 17:04

Ndaj propozim-ligjit reaguan edhe partitë e vogla, që sot kanë drejtuar akuza të mëdha kundër koalicionit qeverisës që e propozoi këtë ligj...

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se propozim-ligji i  fundit i propozuar nga BDI-VMRO për ndalimin e çdo publikimi të përgjimeve që vetë ata i kanë realizuar është kulminacioni i degjenerimit total të këtij pushteti. Ky propozim-ligj mund të pasojë vetëm pas përfundimit të procedurës së Prokurorisë Speciale, që është themeluar enkas për të vërtetuar keqpërdorimet e aferës së përgjimeve, thonë nga RDK.

Rilindja Demokratike Kombëtare kërkon ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, sidomos të ShBA-ve, dhe propozon që ngritja e padive nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj gjithë shkelësve të ligjit, që do të vërtetohet me aferën e përgjimeve, të emitohen direkt në të gjitha televizionet nacionale.

Lëvizja “Besa”, ndërkohë, e cilësoi si diktatorial propozim-ligjin.

“Kjo tendencë për të ndaluar gjithçka që është në dëm të tyre dhe për të kontrolluar gjithçka, lirisht mund të krahasohet me diktatorin veri-korean, Kim Jong, madje për shumëçka ai mund t’u marrë lakmi qeveritarëve tanë”- thuhet në reagimin e lëvizjes “Besa”.

Ka reaguar edhe LR në PDSh: “Kjo është tendencë e fundit e BDI-së për t’i bërë atentat njëherë e përgjithmonë lirisë së fjalës. Dje u munduan ta vrasin lirinë dhe sot mundohen të arsyetojnë pse donin ta vrisnin lirinë, duke thënë se duan të  mbrojnë nga shantazhimi njerëz të caktuar për veprime që kanë të bëjnë me çështje private”.

Nga LR në  PDSh thonë se nuk mund të jenë çështje private materialet që flasin për “Sopotin”, “Monstrën” apo “Kumanovën”, përkundrazi, ato janë çështje shumë publike. “Vitet burg që parashihnit me propozim-ligj për ata që do t’i thonë këto të vërteta nuk do të na pengojnë për t’i thënë këto të vërteta”- reagojnë nga LR në PDSh.