Propozim-ligji, Orav: Ligji rikthehet në Kuvend deri më 20 tetor; Ambasada amerikane: Propozim-ligji të shqyrtohet nga grupet e punës

07.10.2015 17:11

Euroambasadori, Aivo Orav, në një deklaratë për TV Telma në Shkup thotë se bisedimet në grupet e punës janë debllokuar dhe më 20 tetor në Kuvend duhet të kalojë edhe Ligji për të ashtuquajturat “bomba” dhe për mbrojtjen e të ashtuquajturve “informatorë”...

Orav shpreh keqardhje që grupet e punës nuk respektuan afatin përfundimtar për rregullativën ligjore, edhe pse paraprakisht ishin dakorduar për të njëjtën.

“Na u desh të harxhojmë më tepër kohë për propozim-ligjin, i cili dje u propozua në Kuvend. Megjithatë arritëm marrëveshje me të gjitha partitë që ky Ligj së bashku me Ligjin për mbrojtjen e “informatorëve”,  të kthehen në Kuvend deri më 20 tetor. Ky është hap i mirë dhe marrë parasysh progresin në bisedimet për legjislaturën zgjedhore pres që sonte të arrihet marrëveshje”- deklaroi ambasadori i BE-së në RM, Aivo  Orav.

Ambasada amerikane nuk ka dalë me ndonjë qëndrim zyrtar, por në pyetjen e TVM2 pranon se partitë janë dakorduar që çështjet për publikimin e informatave jolegale të diskutohen në kuadër të grupit punues, i cili duhet të shqyrtojë zgjidhjet e mundshme ligjore në paket me zgjidhjet ligjore për mbrojtjen e të ashtuquajturve  “informatorë”.

“Këto çështje u dakorduan që të zgjidhen para 20 tetorit”- thuhet në përgjigjen e  Ambasadës amerikane.

“Këto ligje hapin çështje serioze në lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe sundim të së drejtës, të cilat duhet të adresohen në përputhshmëri me obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë”, thonë nga Ambasada amerikane. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)