Propozim-ligji, Xhaferi: Nuk do ta tërheq

07.10.2015 17:42

Koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi, nuk do të tërheq propozim-ligjin me të cilin qytetarëve dhe mediave ju ndalohet në të ardhmen të publikojnë materialet e përgjuara...

Këtë Xhaferi e deklaroi pas takimit njëorësh me ndërmjetësin e KE-së në negociatat politike, Piter Van Hojt, dhe zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Fatmir Besimin.

 “JO”- ka deklaruar shkurt propozuesi, Talat Xhaferi.

Nga BDI theksojnë se “Propozim-ligji nuk është nismë e tyre, por është propozuar konformë marrëveshjes së arritur mes katër partive politike dhe faktorit ndërkombëtar”. Ata përkujtojnë disa herë se kanë kërkuar publikimin e “bombave”, madje edhe atëherë kur nuk kishte prokuror special.

Propozim-ligji ka për qëllim që materialet të mos përdoren për qëllime politike dhe shantazhim të personave të caktuar”- theksojnë nga partia e Integristëve.

Paraprakisht, nga VMRO-DPMNE-ja deklaruan se propozim-ligji do të kthehet në ripërpunim. 

“Është arritur marrëveshje që si propozim-ligj të shqyrtohet edhe nga vetë grupi i punës ku bisedojmë, dhe u dakorduam që të jetë pjesë e debatit parlamentar dhe miratimit, para se të kemi zgjedhje për ministër të Punëve të Brendshme, pra më 20 tetor. Fjalën dhe dakordimin e tij e ka dhënë edhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, gjatë momentit të arritjes së marrëveshjes për ligjin për PS, por kjo fjalë u tërhoq dje”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Deri sa nga VMRO-DPMNE-ja thonë se propozim-ligji do të kthehet në ripërpunim dhe do të përfshihen edhe amendamente të opozitës, social-demokratët vlerësojnë se VMRO-DPMNE dhe BDI duan të blejnë kohë dhe të stërzgjatin procesin dialogues.

“Zgjidhja ligjore me të cilën ndalohet publikimi i “bombave” është katastrofë, censurë. Siç edhe reaguan disa organizata dje, kjo nuk ekziston edhe në regjimet më të forta. Pres që propozim-ligji të tërhiqet dhe të vazhdojnë bisedimet. Deri më 15 tetor do të sjellim rregulloren për mediat, ndërkaq deri më 20 të ashtuquajturën qeveri teknike. Presim që sot ligji të tërhiqet”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Mbetet të shohim se cili do të jetë fati i propozim-ligjit me të cilin ndalohet posedimi dhe publikimi i materialeve të përgjuara. (Sanije Kasami, TVM2)