Maqedoni
Piter Van Heute: Ligji do të rikthehet në Kuvend
07.10.2015 18:25
Pa marrëveshje, por me përparime janë duke u zhvilluar bisedimet e Grupit punues me ndërmjetësim ndërkombëtar...

Ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhojt, u shpreh optimist mbi përparimet në negociata mbi Kodin Zgjedhor. Vanhojt tha se ky Ligj do të finalizohet deri më 20 tetor.
Edhe Ligji i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI për mospublikimin e “bombave” do t’i kthehet Grupit punues për shqyrtim për arritjen e versionit final deri në këtë datë, u shpreh Vanhojt.
“Edhe mbi Kodin Zgjedhor ekziston një progres i mirë. Diskutimi është konstruktiv dhe shpresoj se do të vazhdojmë deri në arritjen e marrëveshjes. Nuk jam pesimist, shoh njerëzit se janë të përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes dhe respektojnë të gjitha elementet e marrëveshjes për të parë se si mund që të lëvizin gjërat më tutje. Edhe Ligji për ndalimin e publikimit të “bombave” do të diskutohet në grupet punuese dhe do të japim propozime për gjetjen e zgjidhjes deri më 20 tetor”- deklaroi ndërmjetësuesi ndërkombëtar, Piter Vanhojt.
Ndryshe, kompromisi për arritjen e kompromisit për Kodin Zgjedhor duhej të arrihej mbrëmë, por ky afat u shkel pas futjes në procedurë parlamentare të Ligjit, i cili ndalon publikimin e “bombave”.
Palët tani pritet të përafrojnë qëndrimet mbi votimin e diasporës, pastrimin e listave zgjedhore dhe sponzorimin medial të partive në fushatën elektorale.
Sipas informacioneve jozyrtare, palët në bisedime, që janë duke vazhduar, janë më afër marrëveshjes për përbërjen e KShZ-së dhe modelin zgjedhor.
MERAL ISMAILI
