Futboll
Mbërrin nën masa të forta sigurie kombëtarja Serbe
07.10.2015 21:23
Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur në aeroportin e Rinasit pak para orës 18:00, ku është pritur nën masa të forta sigurie...

Lojtarët dhe pjesa tjetër e stafit serb kaluan në sektorin VIP të aeroportit ku i priste një shpurë e madhe forcash sigurie.
Në sigurinë e kombëtares serbe janë angazhuar qindra forca të Policisë së Shtetit, përfshirë këtu edhe repartet speciale të strukturave të rendit.
Në të gjithë rrugën nga ku kaloi autobusi me lojtarët dhe anëtarët e tjerë të stafit të kombëtares serbe ishte e mbushur me forca të shumta policore.
Rruga nga Rinasi e deri tek Hotel Rogner, ku u vendos kombëtarja serbe, ishte e mbushur me forca të shumta policore, përveç eskortës që e shoqëroi nga aeroporti e deri në mbërritjen në hotel.
Në konferencën e dhënë për mediat, pas vendosjes në Hotel Rogner, delegacioni i kombëtares serbe vlerësoi përfaqësuesen kuqezi, ndërsa deklaroi se skuadra e tij do të hyjë në fushë për fitore.
“Kombëtarja jonë është ende në formim, ndërsa Shqipëria ka një skuadër të konsoliduar. Shqipëria është një ekip fortë dhe jo më kot është në vendin aktual në grupin tonë”, tha ai.
Ndërkohë, kapiteni Oliver Ivanoviç, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi impaktin e parë në Tiranë, tha se ishte i vetëdijshëm që ndeshja i kalon caqet e futbollit.
“Gjatë rrugës kishte një pirg me gurë, njëri prej tyre ishte më i madh. Fatmirësisht nuk ishte një incident i rëndë. E dimë që kjo ndeshje tejkalon sportin, por ne duam vetëm futbollin dhe do të përpiqemi me çdo mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje”, tha Ivanoviç.
Kapiteni serb shtoi se ky rast është rasti më i mirë për të ndryshuar mentalitetin mes dy popujve në Ballkan.
Shqipëria e Gianni De Biasit “ka shkarkuar” tre trajnerë në këtë fushatë të eliminatoreve, por a i druhet kësaj trajneri Çurçiç në rast të humbjes ndaj Shqipërisë.
“Çdo trajner e di që një ditë do të largohet, por unë nuk mendoj se do të iki pas kësaj ndeshjeje”, tha Çurçiç.
