Futboll
Ndeshja e Shekullit, sonte derbi ballkanik Shqipëri-Serbi
08.10.2015 09:30
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet sonte me kombëtaren serbe në stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshje kjo vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016...

Kuq e zinjtë do të kërkojnë tre pikëshin në fushën e gjelbërt, festa në të gjitha trevat shqipëfolëse ka nisur prej ditës së djeshme.
Skuadra serbe e futbollit ka mbërritur prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë nën masa të rrepta sigurie dhe sot tre orë para ndeshjes do të nisën drejt Elbasanit.
Ndërkohë policia ka marrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes.Janë mbi 2300 policë si dhe njësia antiterror që janë angazhuar prej ditës së mërkurë, ndërsa RENEA do të ruajë kombëtaren serbe.
Nga dje ka nisur edhe patrullimi nga ajri në qytetin e Elbasanit. Duke nisur nga ora 12:00 e mesditës do të bllokohet dhe kalimi i tunelit Tiranë-Elbasan.
Ndërkohë qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmë në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë deri në 20:45, kur edhe do të nisë sfida në “Elbasan Arena”.
Në Shkup ndeshja mund të ndiqet drejtpërdrejt në sheshin Skëndërbeu, në videobimin e madh të mundësuar nga Komuna e Çairit./mia
