Migracioni, planet dhe mënyra e menaxhimit, Besimi takoi përfaqësues të BE-së
Migracioni, planet dhe mënyra e menaxhimit të sfidave nga situata aktuale në vend, rajon dhe në Bashkimin Evropian ishte tema e takimit kordinativ...

Migracioni, planet dhe mënyra e menaxhimit të sfidave nga situata aktuale në vend, rajon dhe në Bashkimin Evropian ishte tema e takimit kordinativ që zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, realizoi me përfaqësues të BE-së, përfaqësues të shumë vendeve dhe organizatave donatorë në Republikën e Maqedonisë.
Në takim në të cilin pjesëmarrës ishin ministri i Punëve të Brendshme, Çavkov, u prezantuan planet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për menaxhimin e valës së migrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës.
Gjithashtu, u prezantuan edhe vlerësime konkrete të nevojave, nga të cilat një pjesë tashmë sigurohet nga burimet dhe resurse të vendit, si dhe me mbështetjen e disa organizatave ndërkombëtare, aktive në këtë fushë.
Nga ana e përfaqësuesve të pranishëm të BE-së, vendet donatore dhe organizatat ndërkombëtare u përshëndet iniciativa e këtij takimi, në veçanti që e njëjta të realizohet në prag të takimit të ministrave të BE-së në Luksemburg, në të cilën shqyrtohen plane konkrete të Unionit për menaxhimin e situatës.
Në takim u dakordua që i njëjti të vazhdojë në një formë të rregullt mujore për koordinim të Qeverisë dhe bashkësisë së donatorëve në temë migracioni, për të cilën tashmë u përcaktuan edhe hapa dhe mekanizma konkrete të bashkëpunimit.
