Botë

Merkel dhe Hollande në PE, rregulla të reja për azilin

08.10.2015 12:33

Në situatën kur refugjatët kanë shënuar edhe eksodin e tyre më të madh, liderët francezë dhe gjermanë i bënë thirrje anëtarëve të BE-së që të veprojnë së bashku për të përballuar krizën...

Presidenti francez, Francois Hollande, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një mbledhje në Parlamentin Evropian hodhën idenë e krijimit të një sistemi të ri për trajtimin e kërkesave për azil.

Të dy udhëheqësit ranë dakord se rregullat aktuale për emigracionin dhe azilin janë të vjetra dhe për ta e vetmja mënyrë për të trajtuar problemin është bashkëpunimi mes vendeve të BE-së.

Fillimisht, sipas tyre, i duhet dhënë fund konfliktit në rajonet e luftës; më pas duhen mbështetur vendet e prekura nga fenomeni i dyndjes masive të refugjatëve si Turqia, e cila aktualisht është kthyer në shtëpinë e 2 milionë sirianëve; së treti, dhe në sigurimin e një strehë të sigurt për refugjatët.

Por, thirrja e Merkelit dhe Hollandes se kriza e refugjatëve ka më shumë nevojë për Evropën, ka hasur kontestime.

Nigel Farage, lideri UKIP në Britaninë e Madhe, akuzoi liderët se fjalimet e tyre krijojnë konfuzion në radhët e refugjatëve. Por, Merkel u tha deputetëve evropianë se fluksi i tyre ka ndryshuar agjendën në Evropë.

Ngjarja globale, sipas saj, ka ndikuar kudo, na pëlqen apo jo. E ndërsa për Hollanden, Evropa e ka kuptuar me vonesë se tragjeditë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës do të kishin pasoja për vetë ne.

“Tani është e nevojshme që BE-ja të punojë së bashku në solidaritet. Ka një krizë humanitare, zgjidhja e vetme është një Evropë e fortë. Kontinenti ynë duhet të afirmohet, përndryshe ne do të shohim fundin e Evropës, pra dështimin tonë”- tha Hollande.