Menaxhimi i emigrantëve, kusht për liberalizimin e vizave për Turqinë
Edhe pse heqja e regjimit të vizave me Turqinë ishte premtuar për në vitin 2017, BE kushtëzon liberalizimin e vizave me zbatimin e planit të veprimit mbi menaxhimin e emigrantëve...

Sipas Komisionit, drafti i planit të veprimit përcakton një seri çështjesh urgjente që duhen zbatuar menjëherë nga Bashkimi Evropian dhe Turqia për të menaxhuar fluksin tepër të madh të refugjatëve dhe për të parandaluar emigracionin e parregullt drejt BE-së, përmes korridorit ballkanik, siç dëshmojnë dhe pamjet e satelitit evropian.
Presidenti i KE-së, Zhan Klod Junker, tha se “Unioni dhe Turqia ecin e punojnë së bashku për krizën e refugjatëve”.
Por, ndërsa BE has vështirësi qoftë edhe për të numëruar në kohë qindra mijëra refugjatët e ardhur muajt e fundit, Turqia menaxhon në territorin e saj 2.5 milionë emigrantë.
Megjithëse njohin rolin kyç të Ankarasë në përballimin e kësaj krize, eurodeputetët u shfaqën mjaft kritikë gjatë debatit në plenaren e Strasburgut, veçanërisht për lirinë e medias dhe respektimin e të drejtave themelore nga vendi më i vjetër me statusin kandidat në BE.
Sipas tyre, “lufta kundër terrorizmit nuk mund të shërbejë si pretekst për sulmet e Qeverisë turke ndaj kundërshtarëve politik” dhe vendi duhet të angazhohet në një proces paqeje me kurdët.
