Botë

Atmosferë e tensionuar në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet seanca nga gazi lotsjellës

08.10.2015 15:11

Kur nuk ia dolën me fishkëllima, deputetët e opozitës kanë përdorur gaz lotsjellës për të ndërprerë punimet e Kuvendit të Kosovës...

Nga tymi që u shkaktua, u alivanosën deputetet, Flora Brovina dhe Blerta Deliu, të cilave u është dhënë ndihmë mjekësore.
 
Ndërsa në një deklaratë të përbashkët të tri partive opozitare, Vetvendosje, AAK dhe Nisma thuhet se Qeveria e Kosovës po e rrënon dhe falimenton shtetin, duke e formalizuar dhe legalizuar pushtetin e Serbisë brenda territorit dhe institucioneve të Kosovës.
 
Ky pushtet i Serbisë është shkatërrim i Republikës, sovranitetit, integritetit territorial, e mirëqenies së qytetarëve. Askush nuk ka mandat e as të drejtë ta kthejë Serbinë në Kosovë. Këtë nuk do ta lejojmë.
 
Ne protestën tonë e kemi të orientuar kundër kthimit të Serbisë përmes “Zajednicës” dhe kundër njerëzve të shantazhuar në qeveri, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, të cilët po punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm për t’ia mundësuar Serbisë pushtetin në Kosovë.
 
Prandaj, këta persona arritën marrëveshje në Bruksel dhe e shkelën hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës, duke e shpërfillur dhe pamundësuar kështu vetë Republikën dhe qytetarët në të.
 
“Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të kalojnë. Serbinë nuk do ta lejojmë të kthehet në Kosovë. Malit të Zi nuk do t’i falet toka e Kosovës. Qeveria duhet të tërhiqet nga marrëveshjet”, thekson opozita. 
 
Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, vlerëson se veprimet e tri partive opozitare janë me prapavijë politike, për marrjen e pushtetit pa i zgjedhur mjetet. 
 
Edhe LDK, nëpërmes një komunikate ka vlerësuar se “Dhuna cenon interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
 
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës, si shtet i ri, kanë nevojë për punë dhe përkushtim. Opozita duhet të heqë dorë nga bllokimi i dhunshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga sjelljet primitive”- thonë nga LDK. 
 
Edhe Qeveria dhe Presidenca e Kosovës kanë reaguar ndaj zhvillimeve të sotme në Kuvend.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit, si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me ShBA-të dhe vendet e BE-së. 
 
“Qeveria, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit”- thuhet në reagimin e Qeverisë. 
 
Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, të respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë edhe sakrificën e tyre personale.
 
Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare.
 
GYLTENE SINANI