Maqedoni

Stadium i Tetovës do të jetë gati për ndeshje në fund të nëntorit

08.10.2015 15:31

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në stadiumin e qytetit...

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në stadiumin e qytetit, ku nga pranvera e hershme komuna së bashku me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhanë pëlqimin e punimeve që ky stadium të rikonstruohet në standarde bashkëkohore evropiane.
 
Pas shumë viteve dhe dekadave, ekipet e futbollit të Tetovës fitojnë një teren sportiv, i cili është me standarde më të larta, tha Arifi.
 
“Në fund të majit është bërë drenazha e plotë e stadiumit, një drenazhë moderne me dyzet e tetë hapësira për ujitje, pas asaj nga qershori korriku është vazhduar me mbjelljen e barit dhe rezervarin e ujit dhe në të njëjtën kohë këto ditë po zhvillohen punimet për rrethimin e pjesës së mbetur. Sipas standardeve të Federatës së Futbollit, me rëndësi është që të bëhen tre kositje për të filluar ndeshjet, kositja e parë e këtij bari të ri të mbjellë do të ndodhë me pesëmbëdhjetë tetor dhe pas kositjes së tretë, ashtu siç parashihet nga ana e Federatës së Futbollit, ne shpresojmë që të merret leje dhe të luhen ndeshje, kjo nënkupton fundin e muajt nëntor”-deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Ndryshe, stadiumi i qytetit të Tetovës do të jetë në dispozicion për të gjitha ekipet sportive pasi t’i jepet pëlqimi nga Federata e Futbollit të Maqedonisë.
 
Ndërsa pas këtij investimi, ndeshjet e futbollit do të mund të luhen edhe gjatë orëve të vona, pasi do të plotësohen edhe standardet e ndriçimit.
 
VISAR SADIKI