Botë
“Nobeli” për Letërsi, sërish nuk fiton Kadare, çmimi për Aleksieviç
08.10.2015 15:42
Gara ishte e fortë, por në fund me “Nobelin” e Letërsisë Akademia suedeze vendosi të nderonte shkrimtaren dhe gazetaren bjelloruse, Svetlana Alexievitch...

Gara ishte e fortë, por në fund me “Nobelin” e Letërsisë Akademia suedeze vendosi të nderonte shkrimtaren dhe gazetaren bjelloruse, Svetlana Alexievitch, me këtë argument: “Shkrimet e saj përbëjnë rrëfenjën e një momenti vuajtjeje dhe guximi në kohën tonë”.
Një lajm i gëzuar ky për Bjellorusinë, por që ka lënë shqiptarët të trishtuar edhe këtë vit. Edhe sivjet për këtë çmim ishte nominuar shkrimtari ynë, Ismail Kadare, por as sivjet nuk arriti të fitojë çmimin e madh që ëndërrohet nga të gjithë shkrimtarët. Kadare tashmë dyzet vite është pretendent i rregullt për Çmimin “Nobel” dhe zakonisht ka qenë ndër kryesorët e pretendentëve për të fituar këtë çmim.
Kjo ka bërë që ai të vlerësohet nga studiuesit e letërsisë shqiptare, por edhe asaj botërore. Gjithsesi, shkrimtarja fitues e çmimit, Svetlana Alexievitch, njihet si një kritike e fortë e qeverisë në vendin e saj.
Ajo është një shkrimtare politike, veprat më të famshme të së cilës të përkthyera në anglisht janë “Zëra nga Çernobili”-një histori mbi katastrofën bërthamore dhe “Djemtë prej zinku”- një koleksion tregimesh e dëshmish nga lufta sovjetiko-afgane. Bashkë me çmimin, Alexievitch merr edhe 690 mijë paunda, që e shoqërojnë atë.
Autorja me baba bjellorus dhe nënë nga Ukraina, ka lindur në 1948-ën, në qytetin ukrainas Ivano-Frankivsk. Në Bjellorusi, familja e saj do të shpërngulej pasi i ati përfundoi shërbimin e tij ushtarak.
Ndër fituesit e mëhershëm të këtij çmimi prestigjioz renditen gjigantë të letërsisë, si Ernest Heminguej apo Rudiard Kipling, ndërsa vitin e kaluar “Nobeli” i Letërsisë iu dha francezit, Patrick Modiano.
LEUNORA KALIQI
