Botë

Stoltenberg: aktivitetet ruse në Siri shqetësuese, shtyhet projekti i gazit “Rrjedha turke”

08.10.2015 15:46

Aleanca Atlantiko-veriore është e gatshme të dërgojë trupa në Turqi, nëse do të jetë e nevojshme të mbrohet aleati kundër kërcënimeve që vijnë nga kufijtë juglindore të saj...

Aleanca Atlantiko-veriore është e gatshme të dërgojë trupa në Turqi, nëse do të jetë e nevojshme të mbrohet aleati kundër kërcënimeve që vijnë nga kufijtë juglindore të saj, gjegjësisht shkeljeve të hapësirës ajrore turke nga avionët luftarakë rusë, që po zhvillojnë sulme ajrore në Siri, ka bërë të ditur kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin e ministrave të Mbrojtjes së Aleancës në Bruksel, i cili dominohet nga kriza e Sirisë.
 
“Në Siri kemi parë përshkallëzim shqetësues të aktiviteteve ushtarake ruse. Ne do t’i vlerësojmë zhvillimet e fundit dhe implikimet e tyre në sigurinë e Aleancës. NATO është e gatshme dhe tepër e aftë të mbrojë aleatët e saj, përfshi Turqinë, kundër çdo kërcënimi të jashtëm”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Nga na tjetër, gjiganti rus i gazit “Gazprom” ka thënë se projekti i tij i gazit me Turqinë do të vonohet për shkak të tensioneve në rritje midis Moskës dhe Ankarasë, në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në konfliktin në Siri. Rusia ka zemëruar Ankaranë me sulmet ajrore kundër grupeve islamiste në Siri dhe kundër forcave të moderuara që kanë mbështetjen turke.
 
Avionët luftarakë rusë po ashtu kanë shkelur hapësirën ajrore të Turqisë këtë javë, duke nxitur notë proteste nga Ankaraja.
 
Përpara fushatës së bombardimeve, Rusia dhe Turqia janë pajtuar muajin e kaluar që të punojnë në projektin “Rrjedha turke” për transportimin e gazit rus në Evropën Jugore.
 
LEUNORA KALIQI