Maqedoni

BE dhe ShBA: Partitë të respektojnë marrëveshjen e Përzhinës

08.10.2015 16:04

Bashkimi Evropian dhe ShBA–të, përmes përfaqësive diplomatike kanë shprehur keqardhje për rezultatin e dobët nga katër liderët politik në bisedimet...

Bashkimi Evropian dhe ShBA–të, përmes përfaqësive diplomatike kanë shprehur keqardhje për rezultatin e dobët nga katër liderët politik në bisedimet për gjetjen e kompromisit për Kodin Zgjedhor dhe Reformat Zgjedhore.
 
Në një komunikatë të përbashkët, ata kërkojnë nga partitë politike që të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinës dhe kohën e implementimit të saj, sepse, sipas tyre, prilli po afrohet dhe ligji duhet miratohet në kohën e paraparë.
 
“Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e ShBA-ve në Shkup shprehin keqardhje që edhe përkundër progresit të arritur nga Grupi punues, partitë akoma nuk kanë mundur të finalizojnë çështjen e reformave zgjedhore dhe nuk kanë papajtueshmëri lidhur me bisedimet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor. Fuqishëm i inkurajojmë katër liderët politik të arrijnë marrëveshje sot”- thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane dhe zyrës së BE-së në vend.
 
Edhe nga Komisioni Evropian zëdhënësja e eurokomisarit për zgjerim, Maja Kociançiq,  për TVM2 thotë se BE kërkon nga Grupi punues që sot ta përmbyll çështjen e reformave zgjedhore dhe të fillohet menjëherë me implementimin e ligjit. 
 
“Dita e zgjedhjeve  po afrohet. Kodi Zgjedhor duhet të miratohet sa më herët dhe implementimi i saj duhet të fillojë në prag të zgjedhjeve në prill”- deklaron zëdhënësja Kociançiq.
 
Ndryshe, Kodi Zgjedhor dhe Reforma Zgjedhore, si pika të rëndësishme të Marrëveshjes së Përzhinës, kanë qenë të parapara të zgjidhen deri më 6 tetor.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU