Maqedoni

Vjedhje në një filiale të një banke në Shkup, policia kap sulmuesin e lënduar

08.10.2015 16:18

Një person i armatosur dhe i maskuar pasditen e sotme ka kryer vjedhje në filialin e “Stopanska Bankës” në Gjorçe Petrov të Shkupit dhe më pas ka shtënë me armë në drejtim të policisë...

Vjedhja është njoftuar nga një i punësuar në këtë bankë pas orës 14, pas çka menjëherë njësiti policor “Alfa” ka dalë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski, ka njoftuar se personi që ka kryer vjedhjen është parë duke hipur në automobilin “Citroen” me regjistrim të Shkupit dhe është nisur në drejtim të Karposhit.

Policia ka tentuar të ndalë veturën, por ai ka shtënë me armë në drejtim të policisë, pas çka policia ka kthyer sulmin, duke detyruar automjetin të ndalojë, ndërsa sulmuesi, për shkak të lëndimeve të marra, është dërguar në spital për t’iu dhënë ndihmë mjekësore.

Po ashtu është gjetur edhe arma me të cilën ka shtënë kryerësi i vjedhjes në bankë.

Ndërsa është bërë e ditur se nuk ka persona të lënduar nga të punësuarit në filialin e kësaj banke.