Ekonomi
“Përmirësim i shërbimeve për inkuadrim social”, nga Fondet Evropiane janë ndarë 1.4 milion euro
08.10.2015 16:43
"Përmirësim i shërbimeve për inkuadrim social" është një ndër projektet e financuara nga BE përmes IPA fondeve

"Përmirësim i shërbimeve për inkuadrim social" është një ndër projektet e financuara nga BE përmes IPA fondeve, i cili ka për qëllim zhvillimin dhe zbatimin e rehabilitimit profesional dhe shërbimet e asistimit personal për integrim më intensiv dhe cilësor të njerëzve me invaliditet në tregun e punës, përmirësimin e shërbimeve për kategoritë e cenueshme dhe lehtësimin e këmbimit të të dhënave midis institucioneve kompetente.
“Ky projekt është një pjesë e vogël e aktiviteteve që BE i financon në Maqedoni në sferën e përfshirjes sociale, dhe edhe në të ardhmen do të vazhdojë me mbështetje për vendin në këtë sferë”- deklaroi përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni, Martin Klauke.
“Koncepti bashkëkohor kërkon metodë të re sociale dhe model i cili në plan të parë e vendos personin e jo arsyen për përjashtim, si përkatësi etnike ose diagnozë tjetër, invaliditet ose çfarëdo baze tjetër për përjashtim”- tha zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Për realizimin e projektit nga Fondet Evropiane janë ndarë rreth 1 milion e 400 mijë euro, të cilat do të dedikohen për zbatimin e projektit në dy vitet e ardhshme.
REJHANE BUSHI-METAJ
