Maqedoni
Kuvend, deputetët në debat të ashpër rreth pagës minimale
08.10.2015 17:14
Në vazhdimin e seancës së 67-të, deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë debatuar lidhur me propozimin e LSDM-së, që ka të bëjë me rritjen e pagës minimale...

LSDM propozon që paga minimale të jetë 11 mijë denarë në të gjithë sektorët dhe të krijohet fond për t’i ndihmuar punëdhënësit që të mos kenë pasoja, por VMRO-DPMNE ligjin në fjalë e llogarit si propozim populist në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, i cili mund të shkaktojë pasoja deri në largim nga puna të kësaj kategorie nga punëdhënësit e tyre.
“Nën një, kërkojmë që paga minimale të jetë 11 mijë denarë; nën dy, kërkojmë që ata 11 mijë denarë të vlejnë për të gjithë, të mos ketë selektim; nën tre, kërkojmë që paga minimale të harmonizohet në shkallë vjetore me rritjen e shpenzimeve minimale për jetë dhe nën katër të formohet fond me të cilin do t’i ndihmojmë punëdhënësit që të mos kenë pasoja”- tha Orce Pançev nga LSDM.
“Çfarë mund të kontribuojë ky ligj? Ky ligj mund të shkaktojë shumë probleme edhe për të punësuarit që e marrin këtë pagë minimale edhe për punëdhënësit. Për të punësuarit mund të ketë pasoja në qoftë se punëdhënësi vlerëson se nuk mund ta kryej pagesën sipas kësaj që parashikohet dhe të vijë deri te përjashtimi nga puna”- tha Svetllana Jakimovska nga VMRO-DPMNE.
Deputetët e LSDM-së vazhduan të mbrojnë propozimin e tyre, duke shtuar se me këtë propozim-ligj do t’u ndihmohet para së gjithash të punësuarve në sektorin e industrisë së tekstilit dhe lëkurës, teksa deputetët e VMRO-DPMNE theksojnë se një zgjidhje e tillë ligjore kërkon një debat më të gjerë nga palët e përfshira.
NAIM RAMADANI
