Maqedoni

Pakoja zgjedhore-progres i pamjaftueshëm, pritet arbitrimi i BE-së

08.10.2015 17:32

Dështon edhe përpjekja e fundit për arritjen e kompromisit për pakon zgjedhore...

Nuk është mbyllur as çështja e pastrimit të Listës Zgjedhore, as mënyra e marrjes së vendimeve në KShZ dhe as votimi në diasporë.
 
Madje, nuk është mbyllur as çështja e mediave, ku sipas partive, rreth 90% e materialit është dakorduar. 
 
Risi për të cilat palët janë dakorduar është financimi i fushatës dhe prezantimi mediatik. Ndalohet që mediat të mund të jenë donator të partive politike.
 
Partitë politike maqedonase akuzojnë njëra-tjetrën për dështimet e deritanishme.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM, në momentin e fundit, është tërhequr nga kërkesa e saj për regjistrim aktiv dhe ka kërkuar që Lista Zgjedhore të pastrohet, duke krahasuar të dhënat nga ndërthurja e bazave të të dhënave nga më shumë institucione, ndërkaq LSDM akuzon VMRO-në se nuk e mban fjalën dhe u rikthehet çështjeve që konsiderohen të mbyllura. 
 
Në takime të ndara me gazetarë, partitë politike japin informacione kundërthënëse.
 
Sipas VMRO-së, çështja për përbërjen e KShZ-së është dakorduar, problem ka mbetur mënyra e marrjes së vendimeve, ndërkaq LSDM thotë se VMRO në takimin e fundit ka rihapur edhe çështjen e përbërjes së KShZ-së.
 
Sa i përket pastrimit të Listës Zgjedhore, nga partia portokalli thonë se VMRO-DPMNE ka pranuar propozimin e opozitës rreth pastrimit të Listës Zgjedhore, përfshi këtu regjistrimin aktiv dhe ndërthurjen e bazave të të dhënave nga më shumë institucione, por problem mbetet metodologjia, pasi, sipas tyre, vetë opozita nuk e ka të qartë se si do të realizohej një gjë e tillë.
 
Kundërthëniet më të mëdha mbeten rreth votimit të diasporës. VMRO-DPMNE këmbëngul që votimi në diasporë të mbetet edhe më tej konformë kodit në fuqi, LSDM kërkon prag zgjedhor në diasporë prej rreth 80% të mesatares për zgjedhjen e një deputeti brenda vendit, ndërkaq BDI kërkon heqjen e tre njësive zgjedhore jashtë vendit.
 
Pas tejkalimit të afatit të dokorduar dhe përpjekjes deri në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, zgjidhja pritet të vijë me arbitrim nga Brukseli, ditën e premte.
 
SHPËTIM NUREDINI