Maqedoni

11 të arrestuar në aksionin policor “Sulmi”

08.10.2015 17:34

Në aksionin policor “Sulmi”, MPB ka arrestuar njëmbëdhjetë persona në moshë prej 24 deri më 60 vjet...

Në aksionin policor “Sulmi”, MPB ka arrestuar njëmbëdhjetë persona në moshë prej 24 deri më 60 vjet, të dyshuar për veprën penale: krim i organizuar, shantazhë, puna me fajde, trafikim të lëndëve narkotike, atë të armëve, trafikimin e emigrantëve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
 
Sipas policisë, ata kanë vepruar si grup, ndërsa ngarkohen se një periudhë më të gjatë kanë kryer vepra penale.
 
Si kryeorganizator i këtij grupi kriminel, sipas MPB-së, ngarkohet 48 vjeçari, Demir Ahmeti, nga Studeniçani, i cili së bashku me një person nga Haraçina kanë organizuar dhe koordinuar aktivitetet kriminele të anëtarëve tjerë të grupi. Policia shpjegon se ata kanë dhënë shuma të caktuara të parave të cilat për një kohë të shkurtër kanë kërkuar t’u kthehen kamata të majme, duke përdorur kërcënime serioze. 
 
“Gjatë hetimeve është konfirmuar se organizatorët dhe grupi kriminel kanë realizuar kontakte edhe me kryetarin e Gjykatës Themelore të Kumanovës për ndërmjetësim të lëndëve gjyqësore për kryerjen e veprës penale: vrasje, të kryer në viti 2012 në Kumanovë. Për këtë një anëtar i familjes ka dhënë 24 mijë euro për ta blerë kryetarin e Gjykatës Themelore, me qëllim që ta lirojë njërin nga kryerësit e vrasjes nga burgu”- deklaroi ministri i MPB-së, Mitko Çavkov.
 
Me këtë rast, sot janë kryer bastisje në 6 lokacione, ku janë konfiskuar 4 vetura, për të cilat policia dyshon se mund të jenë marrë si garanci për kthimin e borxhit.
 
Përveç kësaj, janë konfiskuar edhe 2550 euro dhe 200 franga, 14 celularë, marrëveshje të ndryshme noteriale, marrëveshje për shit-blerje dhe deklarata nga persona dhe lloje të tjera të dokumenteve.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI