Maqedoni

Edhe në Shkup ndjehen emocionet e ndeshjes, Komuna e Çairit vendos një videobim të madh

08.10.2015 17:59

Në orën 20:45 është momenti kur vëmendja e të gjithë shqiptarëve është drejtuar në stadiumin “Elbasan Arena”...

Në orën 20:45 është momenti kur vëmendja e të gjithë shqiptarëve është drejtuar në stadiumin “Elbasan Arena”, me shpresën për një fitore historike të Kombëtares shqiptare dhe kualifikimin e shumëpritur  historik në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.
 
Në pamundësi për të shkuar në qytetin e Elbasanit, mijëra shqiptarë do të mbushin sheshet gjithandej, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në troje të tjera shqipfolëse, të bindur se ky është momenti i futbollit shqiptar.
 
Edhe në Shkup mbizotëron një atmosferë me shumë emocione. Mijëra qytetarë të Shkupit, vendtubimi do të kenë në Sallën Sportive “Shaban Tërstena”, ku në këtë sallë Komuna e Çairit ka vendosur një videobim, në të cilin qytetarë të shumtë do të mund të përjetojnë atmosferën e kësaj ndeshje historike.
 
Edhe pse ky organizim u paralajmërua se do të jetë në sheshin Skënderbeu, moti me shi bëri që organizimi të zhvendoset në Sallën Sportive “Shaban Tërstena”.
 
Për shkak të motit të ligë, organizimi madhështor për të shikuar dhe mbështetur Kombëtaren shqiptare do të bëhet në Sallën Sportive “Shaban Tërstena”, ku tifozë të shumtë do të kenë mundësi të shikojnë ndeshjen drejtpërdrejtë, përmes një videobimi të vendosur nga Komuna Çair.
 
Organizimi do të fillojë në orën 20:00, bëjnë të ditur nga Komuna e Çairit, me ç’rast interesimi për të ndjekur bashkë këtë sfidë është i madh.  
 
“E gjithë kjo ngjarje do të fillojë në orën 20:00 dhe do të ketë një program të vogël, me muzikë dhe DJ, dhe unë apeloj tek të gjithë qytetarët e Çairit të bëjnë tifo të gjithë së bashku, të jenë pjesë e emocioneve që do ta përcjellin këtë mbrëmje, dhe patjetër të festojnë të gjithë së bashku. Interesimi është gjithsesi i madh, sidomos mosha e të rinjve të Komunës së Çairit kanë interesim të madh dhe besoj që do të mbushet salla me tifozë”- deklaroi zëdhënësja e Komunës Çair, Kaltrina Zekolli.
 
Nga Komuna apelojnë që të gjithë së bashku të mblidhen dhe të mbështesin Kombëtaren shqiptare për të festuar ndaj Serbisë, pse jo një fitore historike, një kualifikim historik, që do të mbetej në memorien e të gjithë shqiptarëve.
 
ERSAN PAJAZITI