Botë

Kriza e refugjatëve, BE diskuton për menaxhimin e kufijve të jashtëm

09.10.2015 12:53

Në komitetin e përbashkët me vendet e marrëveshjes Schengen u debatua mbi veprimet për ndryshimin me një rregullore të kodit të vizave të Unionit...

Bazuar në kërkesën e Këshillit të BE-së, në fund të qershorit të kaluar, Komisioni Evropian komunikoi një plan veprimi për kthimin, riatdhesimet dhe riintegrimin e personave të padëshiruar në territorin evropian, si dhe rekomandoi një udhëzues për kthimet që do të ushtrojnë autoritetet kompetente të shteteve anëtare.
 
Për këtë qëllim do të përdoren jo vetëm burime shtesë financiare, por dhe agjencitë evropiane, ndërsa diplomacia evropiane do të nxisë për marrëveshje efektive riatdhesimi me të gjitha vendet e treta.
 
Konkluzionet e Këshillit të BE-së nënvizojnë se plani i veprimit të Komisionit përmban element “pragmatik” dhe “operacional” me qëllim rritjen e kapaciteteve të shteteve anëtare për kthimin e emigrantëve të parregullt, duke pranuar plotësisht nevojën për rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen për vendet e origjinës dhe transitit”.
 
Qasja e re, e paraqitur edhe në tryezën me ministrat e Ballkanit, Turqisë, Libanit e Jordanisë, krijon kushtet për vendet anëtare që të rikthejnë regjimin e vizave për vendet e treta që refuzojnë të riatdhesojnë, sipas marrëveshjes, shtetasit e kthyer nga BE.
 
Për një vit rezulton se mbi 500 mijë azilkërkuesve u është refuzuar qëndrimi në BE, por në realitet vetëm 40% e tyre kanë ikur mbrapsht.
 
Po kështu, për vendet që nuk përfitojnë ende nga liberalizimi i vizave, apo nuk kanë marrëveshje riatdhesimi në fuqi, BE kërcënon me heqjen e ndihmës financiare në rast mosbashkëpunimi.
 
Këshilli fton Komisionin që të ndjek me veprime konkrete njoftimet në planveprimin e BE-së për kthimet, të identifikojë çështjet që mbeten për t’u zgjidhur dhe të raportojë brenda janarit 2016 mbi progresin në këtë fushë.