Maqedoni

Formohet klubi i tenisit në Çair, Komuna premton mbështetje për të gjitha klubet

09.10.2015 15:18

Komuna e Çairit më në fund do të ketë klubin e tenisit që do të drejtohet nga tenisti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Shëndrit Deari...

Nga Komuna e Çairit do të rinovojnë tërësisht terrenin e tenistit në Fushë Tophanë, në të cilin të rinjtë do të mund të ushtrojnë dhe të realizojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë ndoshta në të ardhmen edhe tenistë profesionistë. 
 
“Mendojmë që të formojmë një klub të tenisit, ku do të kenë mundësi të stërviten edhe lojtarë profesionalë. Besoj se në të ardhmen do të bëjmë një punë të mirë këtu dhe do të lulëzojë tenisi edhe në Çair, si në lagjet e tjera në Shkup”- deklaroi kryetari i klubit të ri të tenisit në Çair, Shëndrit Deari.
 
Nga Komuna Çair theksojnë se ata do të vazhdojnë të përkrahin të gjitha klubet sportive që gravitojnë në këtë Komunë. 
 
“Çdo vit, në buxhetin e Komunës së Çairit parashihet ndihmë dhe mbështetje për klubet sportive. Kjo nuk do të ndryshojë edhe në të ardhmen. Mund të them se çdo vit ne e shtojmë buxhetin në këtë drejtim në investim të sportit, kështu që nuk besoj që edhe në të ardhmen do të mungojë investimi edhe në fushat e tjera të sportit”- tha zëdhënësja e Komunës së Çairit, Kaltrina Zekolli.
 
Nga Komuna e Çairit theksojnë se me këtë iniciativë duan që të investojnë që të ringjallet sporti i tenisit, pasi që në këtë Komunë ka pasur mungesë të kushteve për të ushtruar këtë sport.
 
Nga Komuna shpresojnë se nga ky klub i ri do të dalin profesionistë të vërtetë, që do të arrijnë rezultate të larta në fusha të ndryshme tenisit.
 
ERSAN PAJAZITI