Maqedoni

Aksioni “Goditja”, 7 persona në paraburgim, mes tyre edhe Sulejmani

09.10.2015 15:30

Gjykata Themelore Shkupi 1 vendosi masën e paraburgimit 30 ditor për kreun e Gjykatës së Kumanovës dhe 6 prej 12 anëtarëve të grupit të arrestuar nga policia...

Gjykata Themelore Shkupi 1 vendosi masën e paraburgimit 30 ditor për kreun e Gjykatës së Kumanovës dhe 6 prej 12 anëtarëve të grupit të arrestuar nga policia, nën dyshimin për vepra të ndryshme kriminale.
 
Gjykata e arsyeton këtë vendim me dyshimin se të njëjtit mund të përpiqen të largohen nga vendi gjatë procesit të hetimit. Ata do të mbeten në burg deri në përfundim të hetimeve.
 
Arrest shtëpie do të ketë vetëm për një nga drejtuesit e grupit, Demir Ahmetin, nga Studeniçani.
 
Sipas MPB-së, Sulejmani ndërmjetësonte për të mbuluar apo liruar personat nga burgu, madje edhe në një rast vrasjeje.
 
“Është konstatuar se kryetari i Gjykatës Themelore në Kumanovë ka pranuar 19 mijë euro, e nga ana tjetër u ka dhënë instruksione se si të sillen gjatë procesit gjyqësor”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Policia ka lëshuar ndërkohë fletë-arrest ndaj një personi të dyshuar që gjendet në arrati momentalisht.
 
Dje, në një aksion policor që u ndërmor në më shumë komuna, u arrestua kreu i Gjykatës së Kumanovës, Musa Sulejmani, dhe 12 persona të tjerë me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, armëve, emigrantëve, shpërdorimit të detyrës etj.
 
Ende nuk dihet nëse ka pasur edhe gjykatës apo persona të  tjerë të përfshirë. Këtë do ta tregojnë hetimet e mëtejshme. 
 
SANIJE KASAMI