Botë
Kosovë, paralajmërohet arrestimi i Albin Kurtit, ndërkombëtarët kundër gazit lotsjellës në Kuvend
09.10.2015 17:16
Pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku opozita përdori gaz lotsjellës për të ndërprerë seancën...

Pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku opozita përdori gaz lotsjellës për të ndërprerë seancën, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, dhe i AAK-së, Ramush Haradinaj, janë takuar në një takim me dyer të mbyllura për media për të ndërtuar strategjinë e veprimit të mëtejmë të opozitës.
Ndërkohë, mediat në Prishtinë paralajmërojnë se Policia e Kosovës pritet ta arrestojë deputetin e VV-së, Albin Kurtin, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës dhe veprimet e djeshmeve të deputetëve të opozitës kanë qenë temë e diskutimeve në takimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
Në këtë takim, siç është bërë e ditur nga presidenca Jahjaga, ajo shprehu shqetësimin e saj për veprimet e dhunshme në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës dhe pengimin e procesit demokratik. Kryeparlamentari Veseli ka takuar edhe ambasadorët e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.
Ambasadorët me këtë rast shprehën shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Ata i dhanë mbështetje të plotë kryetarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale.
Ambasadorët theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cenojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës.
Ndërsa Veseli theksoi nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve brenda këtij partneriteti, në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit prapa të mos kenë rast të jetësohen.
GYLTENE SINANI
