Maqedoni

Pakoja zgjedhore, Hojt në takime të ndara me grupet parlamentare

09.10.2015 17:37

Bisedimet për Pakon zgjedhore kanë vazhduar, por jo në Klubin e Deputetëve...

Më shumë se faktorët vendorë, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës, siç duket, po angazhohet faktori ndërkombëtar.
 
Ndërmjetësuesi i BE-së, Piter Vanhojt, ka vazhduar përpjekjet për të afruar palët, në takime të ndara me grupet parlamentare, në Kuvendin Republikan.
 
Hojt fillimisht takoi grupin parlamentar të PDSh-së, atë të BDI-së, grupin e LSDM-së dhe në fund atë të VMRO-DPMNE-së.
 
Zyrtarë nga partitë maqedonase konfirmojnë se partitë shqiptare janë më të hapura për kompromise dhe nuk janë fajtore për bllokimin e procesit.
 
Për ngecjet, partitë maqedonase fajësojnë njëra-tjetrën. LSDM thotë se VMRO-DPMNE qëllimisht po bllokon procesin për të blerë kohë ose për ta bërë marrëveshjen të pavlefshme.
 
Konfrontimet më të mëdha vazhdojnë të jenë Kodi zgjedhor dhe votimi në diasporë.
 
Mirëpo, VMRO-DPMNE shpreh dyshime se LSDM ka marrëveshje me partitë shqiptare për çështje të caktuara dhe nëse ajo vetë është kundër zgjidhjeve të caktuara, këtë e bën me legjitimitetin që ka dhe nuk e konsideron si bllokim të procesit.  
 
Në ndërkohë, Brukseli këmbëngul në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar nga krerët e katër partive dhe respektimin e afateve kohore, si parakusht për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat duhet të jenë korrekte, demokratike, ndërsa rezultatet të pranuara nga të gjitha palët. 
  
SHPËTIM NUREDINI