Maqedoni

Prokurorja speciale, Janeva, dorëzoi planin financiar

09.10.2015 17:43

Prokurorja speciale, Katica Janeva, i ka dorëzuar Kuvendit, Qeverisë dhe Këshillit të Prokurorëve planin e përgjithshëm financiar dhe planin e punës së Prokurorisë Speciale...

Javën e ardhshme, Këshilli duhet të planifikojë seancë për të shqyrtuar dhe pastaj të miratojë ekipin e saj nga 14 prokurorë të propozuar.
 
Nga Këshilli informuan se pasi të gjithë anëtarët do të shqyrtojnë planet në mënyrë individuale, do të caktohet edhe seanca e Këshillit.
 
Janeva publikoi 14 emra, por u vonua miratimi i ekipit të saj, u vonua për shkak të mungesës së planit për punë dhe atij financiar.
 
Sa i përket planit financiar, Këshilli theksoi se duhet të përcaktohet se sa të holla janë te nevojshme për ekipin për të paguar për rroga, për hetimin dhe bashkëpunëtorët profesional, hetuesit.
 
Gjithashtu, shpenzimet e udhëtimit dhe hetimeve në vendet e huaja, për shkak se puna nuk mund të kryhet vetëm në zyrë.
 
Sa i përket planit të punës, duhet të tregohet se kush do të punojë me ekipin prej 14 prokurorëve.
 
Janeva, pas emërimit të saj në 16 shtator njoftoi se për një muaj do të mbledhë ekipin që do të punojë në zbardhjen e bisedave të përgjuara.
 
Ky afat skadon më 16 tetor. Me Ligjin e miratuar në Kuvend, Janevës i sigurohet një mandat prej 4 vjetësh dhe mundësi për zgjedhje të sërishme.
 
Për 18 muaj ajo duhet t’i përfundojë hetimet dhe të ngrejë akuza për vepra që dalin nga bisedat e përgjuara, nëse nuk e bën këtë në këtë afat, në të ardhmen nuk mund të rihapen lëndët e njëjta.
 
Qeveria është e obliguar që t’i sigurojë mjete financiare për punë Janevës, por jo më vonë se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit.
 
Janeva mund të dorëzojë edhe kërkesa plotësuese për financimin e punës së saj.
 
Financimi i punimeve të Prokurorit Special duhet të sigurohen nga buxheti përmes shfrytëzuesit të buxhetit të Prokurorisë Publike.
 
FLUTURA LATIFI