Pole position i Lorenzos, Rossi pas tij në Motegi

10.10.2015 15:15

Në Motegi parashikohet një garë më e bukur se kurrë me dy pilotët e Yamahas që pritet të japin gjithcka nga vetja për të mposhtur njëri-tjetrin...

Pas një dueli spektakolar në provat zyrtare ishte Lorenzo ai që siguroi pole-position-in teksa e pilotoi motorin e tij Yamaha me kohën 1 minutë 43 sekonda e 790 të mijtat.

Megjithatë Doktori ishte aty shumë pranë 28-vjecarit nga Majorka. Vetëm 81 të mijtat më e ngadaltë se ajo Lorenzos ishte xhiroja e shpejtë e vendosur nga Rossi. Pas tyre u rendit Marc Marquez.

Në shtëpinë e Hondas kampioni në fuqi regjistroi një kohë më të ngadaltë me dicka më pak se gjysëmn e sekondit në krahasim me bashkëkombasin e tij.

5-shja e parë në nisje në garën e Motegit do të kompletohet nga dy pilotët e Ducatit, italianët Andrea Doviziosso dhe Andrea Iannone. Vetëm vendi i 6-të për pilotin tjetër të Repsol Hondas, Daniel Pedrosa, ndërsa pas tij u pozicionuan Aleix Espargaro, Cal Crutchlow dhe Bradley Smith.

Frikë për Alex De Angelis në provat e fundit të lira. Mes kthesës numër 9 dhe asaj numër 10-t, piloti nga San Marino pësoi një aksident të rëndë duke u transportuar menjëherë në spital.

Gjithsesi lajmi i mirë është se De Angelis është i vetëdijshëm dhe arrin të marrë frymë normalisht.