Maqedoni
O.H. “Hilal” ndan 100 pako me ushqim për familjet e dëshmorëve
12.10.2015 15:56
Organizata Humanitare “Hilal”, për shkak të festës së Vitit të Ri islam, Hixhri, ndau 100 pako me ushqim për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe skamnorëve...

Kryetari i OH “Hilal” tha se ky aksion përmban në vete një vlerë të posaçme dhe të rëndësishme, pasi që përfshin disa familje të cilat kanë sakrifikuar që të ruajnë vlerat tona kombëtare dhe fetare.
“O.H. “Hilal”, në planin dhe programin e saj ka qenë aktive gjatë tërë vitit dhe jo rastësisht kemi shfrytëzuar rastin që për hir të festës së Vitit të Ri, Hixhri, ne ta parashohim që t’u dalim në ndihmë dhe kësaj kategorie të pjesës tonë të shoqërisë, e cila ballafaqohet ndoshta edhe me vuajtje”- deklaroi kryetari i Organizatës Humanitare “Hilal”, Mustafa Dauti.
“Unë, në emër të Shoqatës së Kulturës Shqiptare në Maqedoni dhe në emër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK- së, publikisht falënderoj institucionin BFI, i cili në prag të festës së Vitit të Ri, sipas kalendarit islamik, nuk harroi t’u kthejë buzëqeshjen, të gëzojë skamnorët, fëmijët bonjakë dhe ato familje të hasura në kushte të vështira, si: veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe shumë nga familjet e tjera që kanë qenë të përfshira me konfliktin e vitit 2001 dhe që sot e kësaj dite akoma nuk janë të risocializuar”- tha kryetari i Shoqatës së Kulturës Shqiptare në Maqedoni, Daim Hyseni.
Nga O.H. “Hilal” thonë që edhe në të ardhmen do të përpiqen të japin kontributin e tyre për t’u ndihmuar familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
