Maqedoni

Kodi Zgjedhor, Kadriu: Badenteri, çështje kushtetuese dhe jopartiake

12.10.2015 17:02

Zbatimi i parimit të badenterit në Komisionin Shtetëror Zgjedhor si propozim nga dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSh...

Zbatimi i parimit të badenterit në Komisionin Shtetëror Zgjedhor si propozim nga dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSh, gjatë diskutimeve të Grupit punues për Kodin Zgjedhor ka mbështetje kushtetuese dhe është në dobi të të gjitha etniteteve në Maqedoni, vlerëson profesori universitar, Osman Kadriu.
 
Sa i përket kundërshtimit të këtij propozimi nga ana e kryeministrit, Nikolla Gruevski, Osmani thotë se kjo është çështje kushtetuese dhe jopartiake.
 
“Sa i përket çështjes së zbatimit të badenterit, mendoj se kjo është çështje kushtetuese dhe jopartiake, dhe jam i mendimit se ka vend që një dispozitë e tillë, që buron nga propozimi i dy partive shqiptare, ka relevancë dhe ka mbështetje kushtetuese, është në dobi të të gjithë etnikumeve në Maqedoni dhe duhet të miratohet”- deklaroi profesori universitar, Osman Kadriu.
 
Me miratimin e propozimit për futjen e votimit me badenter në Kodin Zgjedhor do të evitohen padrejtësitë që hasen në KShZ, vlerëson Osmani.
 
“Nëse pranohet ky propozim dhe implementohet kjo dispozitë në Kodin Zgjedhor, mendoj se do të ketë mundësi që padrejtësitë që gjithmonë hasen edhe në KSHZ, gjatë miratimit të vendimeve të evitohen dhe kështu të mos dëmtohet edhe interesi i popullit shqiptar, por edhe i etniteteve tjera që janë pakicë në Maqedoni. Është evidente se deri tash në KSHZ ka pasur dhe do të ketë problem dhe miratimi i vendimeve është sjellë konformë pikëpamjeve dhe përkatësive partiake, kjo nuk është në rregull, meqenëse KShZ zbaton ligjin dhe përgjigjet për ligjshmërinë e zgjedhjeve”- tha profesori universitar, Osman Kadriu.
 
Votimi me badenter u jep mundësi shqiptarëve të pengojnë mbivotimin dhe kështu të bllokojnë të gjitha emërimet dhe vendimet që nuk janë në interes të shqiptarëve. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI