Maqedoni
Rriten gjasat për mbylljen e pakos zgjedhore
12.10.2015 17:20
Pas tre ditë takime intensive mes ndërmjetësit evropian, Piter Van Hojt, dhe përfaqësuesve të katër partive politike, Grupi punues është mbledhur sërish për të përmbyllur pakon zgjedhore...

Jozyrtarisht mësohet se deri tani palët janë dakorduar për të gjitha çështjet, përveç votimit në diasporë.
VMRO-DPMNE këmbëngul që në diasporë të zgjidhen së paku tre deputetë, ndërsa LSDM thotë se nuk do të lejojë që VMRO të keqpërdorë ndikimin që ka mbi ambasadat dhe konsullatat e vendit për të siguruar edhe një herë tre deputetë për vete. Opozita maqedonase këmbëngul në barazinë e votës.
Nisur nga përvoja e deritanishme, partitë shqiptare janë kundër votimit në diasporë. Partitë shqiptare propozojnë që diaspora të votojë për lista në njësitë përkatëse në Maqedoni.
Qëndrimet e partive politike në bisedime i deklaroi vetë kreu i VMRO-DPMNE-së, njëkohësisht edhe kryeministër, Nikolla Gruevski, në një intervistë në TV Sitel.
Palët janë dakorduar që KShZ-së t’i jepen më shumë kompetenca, por VMRO-DPMNE ka kundërshtuar kërkesën e BDI-së që KShZ të marrë vendime sipas parimit të Badenterit.
Ndërkaq, LSDM do të pranonte këtë kërkesë nëse BDI paraprakisht dakordohej me VMRO-DPMMNE-në për këtë çështje.
Sipas Gruevskit, kërkesa e BDI-së është e paarsyeshme dhe e paargumentuar, pasi mund të bllokojë procesin zgjedhor në rreth 60% të territorit.
Për ankesat në shkallë të dytë edhe më tej do të vendos Gjykata Administrative, por me mbikëqyrje të shtuar.
Burime nga tryeza e bisedimeve njoftojnë se është rënë dakord edhe për pastrimin e Listës Zgjedhore, e cila duhet të bëhet me kryqëzimin e bazave të të dhënave nga më shumë institucione dhe konstatimin e gjendjes në terren.
Nëse pakoja zgjedhore mbyllet në takimin e sotëm të Grupit punues, të martën duhet të fillojë procedura për shndërrimin e marrëveshjes në ligje.
SHPËTIM NUREDINI
