Maqedoni
Shtyrja e raport-progresit, BE: Afat vendeve aspirante të zgjidhin çështjet
12.10.2015 17:40
Prolongimi i njëpasnjëshëm i shpalosjes së raport-progresit për vendet aspirante për integrim në BE mund të jetë një sinjal se Komisioni Evropian...

Prolongimi i njëpasnjëshëm i shpalosjes së raport-progresit për vendet aspirante për integrim në BE mund të jetë një sinjal se Komisioni Evropian vendeve ballkanike është duke ju dhënë një afat të vogël për tejkalimin e krizave politike, vlerëson analisti politik, Albert Musliu.
Sa i përket Maqedonisë, Musliu thotë se implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës kushtëzon mjaftueshëm vendin me dhënien e rekomandimit për fillimin e bisedimeve, gjë të cilën e kanë bërë të ditur edhe autoritetet e BE-së dhe ata të vendit.
“Shtetet e rajonit, gjithsesi, se nuk e mbajnë tempon që duhet ta mbajnë, me qëllim të përmbushjes së kritereve, përafrimin me BE-në, fillimin e negociatave e lëre më për anëtarësim të plotë. Maqedonia, gjithsesi, përveç problemit që ka vite me radhë me emrin, ka edhe problemin e krizës politike, ashtu që mund t’i jepet rajonit 2 apo 3 javë me qëllim që disa raste më kruciale, në rastin tonë implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës, ta bëjë me efektivitet më të madh që eventualisht mos të humbet rekomandimi për fillimin e negociatave”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
BE është e interesuar ta integrojë Ballkanin brenda familjes evropiane dhe kjo shihet me aktivitetet që realizon në raportin Kosovë-Serbi, me kapitullin 35, në zgjidhjen e problemeve të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe me aktivitetin diplomatik në krizën e Maqedonisë.
Ky është një tregues se BE ka qasje dhe vullnet politik për zgjerim të unionit, por vendet aspirante nuk ruajnë tempon e progresit dhe demokracisë, vlerëson analisti Musliu gjendjen e përgjithshme të vendeve ballkanike në raport me politikën e tyre për integrim.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
