Austri, në 36 orët e fundit arritën mijëra emigrantë
Gjithsej 12,220 emigrantë kanë hyrë në pjesën lindore të Austrisë gjatë 36 orëve të fundit...

Gjithsej 12,220 emigrantë kanë hyrë në pjesën lindore të Austrisë gjatë 36 orëve të fundit, derisa po vazhdon depërtimi i emigrantëve nga Lindja e Mesme nëpër vendet e Ballkanit për në shtetet e Bashkimit Evropian, ka thënë sot policia.
Sipas policisë, të dielën, 8,540 persona kanë hyrë nëpër vendkalimin kufitar Nickelsdorf me Hungarinë, ndërsa deri në mëngjesin e sotëm kanë hyrë edhe 3,680 emigrantë të tjerë.
Zëdhënësi i Policisë së Austrisë, Gerald Koller, i ka thënë agjencisë AFP se rritja aktuale e numrit të emigrantëve pas disa ditëve më të qeta ka ndodhur për shkak të shtimit të numrit të hyrjes së këtyre njerëzve nga Greqia në Maqedoni.
Ata synojnë vazhdimin e rrugës për në Serbi, Kroaci dhe Hungari. Nga ana tjetër, Policia hungareze tha se 7,879 njerëz kanë hyrë në këtë vend ditën e diel, ndërsa të shtunën në Hungari kanë hyrë 7,907 emigrantë.
Ky është fluksi më i madh i emigrantëve në Evropë, gjatë së cilit disa qindra mijëra njerëz kanë hyrë në kontinent këtë vit, shumica prej tyre duke u larguar nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan.
