Mbyllen eliminatoret, Maqedonia në pozitën e fundit
10 ndeshje, një fitore e një barazim, plotë tetë humbje, vetëm katër pikë dhe pozita e fundit në grupin C, bile edhe pas autsajderit total, Luksemburgut...

Ky është bilanci përfundimtar I reprezentacionit futbollistik të Maqedonisë, në eliminatoret për Europianin e vitit të ardhshëm në Francë.
Dhe përderisa aty do të kemi edhe përfaqësuesen e Shqipërisë për herë të parë, që bashkë me Islandën, Irlandën e Veriut dhe Uellsin, do të debutojnë në veprimtaritë e mëdha, Maqedonia, ka rumbullaksuar ciklin më të dobët eliminator.
Pas shtatë humbjeve të njëpasnjëshme si mysafir në kualifikime, dhe katër disfatave që pas ardhjes të Lubinko Drulloviçit në krye, “verdhekuqtë” kësaj rradhe, në ndeshjen mbyllëse të këtij cikli ndaj Bjellorusisë, dëshmuan futboll pak më cilësor në Borisov dhe në shtëpi u kthyen me barazim pa gola.
Rastet ishin për të dyja ekipet, por në fund munguan golat, me çka më të kënaqur mund të janë vendasit, që edhe ashtu ishin të sigurtë në pozitën e katërt, derisa Maqedoninë, nga turpi I ri në këto eliminatore dhe plasmani para Luksemburgut në përfundim, e shpëtonte vetëm fitorja në Borisov.
Megjithatë, ajo mungoi dhe kualifikimet sërish u mbyllën në pozitën e fundit. Por, nëse herën e kaluar, në vendin e pestë ishte Uellsi, që tani ka siguruar plasmanin për në Europian, kësaj here, para “verdhekuqve” është plasuar edhe Luksemburgu, fakt ky që flet më së miri për zhgënjimin në reprezentacionin futbollistik të Maqedonisë, pas përfundimit të eliminatoreve për Evropianin e Francës vitin e ardhshëm. / Mustafa Ademi
