Botë

Prishtinë, gjendja e rrugëve dhe stacionit policor pas përleshjeve të mbrëmshme

13.10.2015 12:19

Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është liruar nga Policia e Kosovës. Lajmin e konfirmon zëdhënësi i këtij subjekti politik, Frashër Krasniqi...

Lirimi i tij erdhi pas një presioni të madh të simpatizantëve të Vetëvendosjes, të cilët u përleshën me Policinë e Kosovës.

Policë e protestues të lënduar, vetura të djegura, objekte të tjera të demoluara është bilanci i demonstratave që plasën pas arrestimit të ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtit, në mbrëmjen e së hënës.

Ndërkaq, ekipet e njësive përkatëse të Policisë së Kosovës sot janë duke bërë hetimet e përleshjes së mbrëmshme ndërmjet aktivistëve të LVV dhe policisë. 

Gjatë orëve të mëngjesit i tërë kryeqyteti ishte bllokuar nga kolonat e gjata që janë në trafik.

Ndryshe, zyra e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së njoftoi se mbrëmë në Klinikën Emergjente të QKUK-së ndihmën mjekësore e kanë kërkuar 15 persona, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë në përleshjen e mbrëmshme.

Lëndimet kanë qenë kryesisht të ekstremiteteve të poshtme dhe gërvishtje në fytyrë dhe asnjëri nga të lënduarit nuk ka qenë në rrezik jete.

Të lënduarit janë nga Prishtina, Ferizaji, Obiliqi, Lipjani, Prizreni, Malisheva dhe Vushtrria. 14 nga të lënduarit kanë qenë policë, përderisa 1 qytetar.

Të gjithë të lënduarit pas ndihmës mjekësore dhe trajtimit në kudër të Klinikës Emergjente janë liruar për në shtëpi.