Maqedoni

Fushatë kundër kancerit të gjirit, në vit 1200 gra me kancer të gjirit

13.10.2015 14:31

Asociacioni i Studentëve të Mjekësisë në bashkëpunim me Fondacionin “Dauti” organizojnë fushatë kundër kancerit të gjirit me moton “Ne jemi pjesë e luftës”...

Muaji tetor është muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, ku ka për qëllim që të tërhiqet vëmendja për një epidemi të shekullit XXI, të vetëdijesohen gratë në Maqedoni rreth rrezikut dhe të informohen ato për metodat e parandalimit të kancerit të gjirit.
 
“Ekzistojnë shumë shenja se si mund ta dallojmë kancerin e gjirit, disa nga ato janë: paraqitja e skuqjes, ndrydhjes së lëkurës dhe sekrecionet spontane nga ana e gjirit. Të gjithë ata që duan të dinë më tepër rreth kancerit të gjirit, ne i ftojmë të jenë pjesëmarrës në fushatën tonë, e cila do të zgjasë gjatë gjithë muajit”- tha Elmedina Hasani nga Asociacioni i Studentëve të Mjekësisë. 
 
Sipas statistikës së vitit të kaluar, në Maqedoni në vit diagnostifikohen me kancer të gjirit 1200 gra të reja.
 
Në kuadër të fushatës kundër kancerit të gjirit, gjatë muajit tetor do të ndërmerren aktivitete, si p.sh. shpërndarje të fletushkave, ligjërata sensibilizuese, do të vizitojnë repartin e Onkologjisë në Klinikën Universitare në Shkup dhe më 31 tetor do të organizohet maratonë me moton “Ne jemi pjesë e luftës”. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ