Maqedoni

Shkup, hapet panairi “Tehnoma-2015”

13.10.2015 14:47

Hapen dyert e panairit “Tehnoma-2015” në Shkup. 185 kompani, prej të cilave 50 të huaja, këtë vit prezantohen në këtë panair...

Në fokus janë inovacionet e kompanive. Drejtoresha e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik u bëri  thirrje kompanive vendore që të aplikojnë për mbështetje financiare për produktet e tyre inovuese.                                          
 
“Për momentin është në vijim thirrja publike për mbështetje të inovacioneve me fond prej 1 milion e 300 mijë euro. Afati i dorëzimit të aplikimeve është deri më 21 tetor dhe shpresoj se për këtë do të kemi interes dhe një numër të madh të propozimeve interesante inovuese”- deklaroi drejtoresha e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jasmina Popovska.
 
Një pjesë e pjesëmarrësve këtë vit shprehen të pakënaqur nga interesimi i ulët i qytetarëve dhe kompanive në këtë panair. Për herë të parë në “Tehnoma” prezantohen edhe 8 kompani inovuese nga Tajvani.
 
“Ne në “Tehnoma” marrim pjesë prej vitit 1996. Me shumë vite jemi këtu prezent dhe ajo që mund t’ju them është se tre vitet e fundit panairi ka filluar të humb efektin e tij. Nuk ka vizitorë, njerëzit nuk kanë të investojnë”- theksoi një pjesëmarrës. 
 
“Është panair i mirë. Na ka ndihmuar ne për shumë punë, p.sh. të njoftohemi me kompanitë tjera të rajonit. Si kompani i posedojmë të gjitha llojet e rrethojave dhe jemi të parët në Maqedoni që merremi me këtë biznes”- tha një pjesëmarrës i panairit. 
 
“Ne dëshirojmë të gjejmë një partner biznesi këtu në Maqedoni. Duam t’i zgjerojmë produktet tona inovuese në këtë vend, sepse kemi cilësi dhe teknologji të lartë elektronike”- u shpreh një pjesëmarrës i panairit.  
 
Panairi “Tehnoma” në Shkup do të zgjasë deri të shtunën dhe i njëjti organizohet për të 41 herë. Në kuadër të këtij panairi është hapur dhe Panairi Ndërkombëtar  i Zejtarëve dhe i Kompanive të Vogla.
 
REXHEP QAMILI