Botë

Pakistan, rrëshqitje dheu në Karaçi, 13 të vdekur, mes tyre 6 fëmijë

13.10.2015 15:00

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën, mes tyre 6 fëmijë, nga rrëshqitja e dheut këtë mëngjes në rajonin Gulistan-e-Jauhar në Karaçi, në Pakistan...

Viktimat janë nga tre familje të afërta, që jetonin në disa baraka, në një kodër e cila u rrëzua mbi kulmin e strehimores së tyre. 
 
“Kemi sjellë makineri gërmimi dhe po kërkojmë të mbijetuar ose trupat e atyre që janë varrosur nën dhe. Dimë deri tani për 13 të vdekur, kemi nxjerrë 11 trupa, dy burra, dy gra dhe 5 fëmijë nga një familje dhe trupin e një gruaje dhe një fëmije nga një familje tjetër. Dy njerëz janë ende nën rrënoja”- deklaroi shefi i Departamentit të Policisë, Javed Jaskani.
 
“Kur unë arrita atje, pashë që të afërmit e mi ishin nën grumbujt e dheut. Erdhën ambulancat, policia dhe ekipet e shpëtimit dhe po i nxjerrin trupat”- tha një i afërm i viktimave, Mohamad Pervez.
 
Autoritetet thonë se rrëshqitja e dheut mund të jetë një aksident, pasi nuk ka pasur shira ditëve të fundit. Hetimet vazhdojnë.
 
GAZMEND REXHEPI