Maqedoni
Në qendër të Kumanovës 11 veturave iu vu flaka
13.10.2015 16:01
Mbrëmë, në periudhën prej orës 23:30 e deri në 45 minuta pas mesnate, autorë të panjohur ua kanë vënë flakën 11 veturave në katër lokacione të ndryshme në pjesën qendrore të qytetit të Kumanovës...

Në të gjitha rastet menjëherë kanë intervenuar ekipet e Njësitit të Zjarrfikësve në Kumanovë.
SPB e Kumanovës, sot ka mbajtur një konferencë për gazetarë, në të cilën zëdhënësja, Valentina Nikollovska, ka sjellë detajet për rastin e mbrëmshëm,që ka shqetësuar kumanovarët.
“Pas masave të ndërmarra operative taktike nga ana e zyrtarëve policorë të SPB-së së Kumanovës, menjëherë pas kryerjes së veprës së fundit është arrestuar një person i dyshuar. Tani po punohet në zbardhjen dhe dokumentimin e tërësishëm të ngjarjes, kurse më pas do të ndërmerren masat adekuate ligjore”- tha zëdhënësja e SPB-së së Kumanovës, Valentina Nikollovska.
Kjo ngjarje ka shqetësuar tej mase qytetarët e Kumanovës, duke ngritur edhe dilema se cili ka qenë motivi për një akt të këtillë.
Edhe pronarët dhe dëshmitarët shprehen të shqetësuar dhe të habitur nga një veprim i këtillë në Kumanovën multietnike.
Ndryshe, nga 11 veturat e shkrumbuara 2 janë pronë e zyrtarëve policorë në SPB-në e Kumanovës.
NEXHAT AQIFI
