Maqedoni
Analizë e Komitetit të Helsinkit, gjuha e urrejtjes dominante para zgjedhjeve
13.10.2015 16:23
Gjuha e urrejtjes më së shumti është e pranishme gjatë periudhës parazgjedhore edhe atë mbi baza politike dhe etnike, tregon analiza e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut...

Numri më i madh i paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes janë mbi baza etnike, racore, mbi bazë të përkatësisë fetare, gjuhës dhe kombit.
Nuk mungon gjuha e urrejtjes as në bazë të gjinisë, orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se Prokuroria Publike rrallë herë merret me rastet që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, ndërsa definimi ligjor është mjaft i dobët dhe nuk ka pasoja.
Në promovimin e projektit “Luftë kundër gjuhës së urrejtjes”, nga Komiteti i Helsinkit thonë se gjuha e urrejtjes shpesh shpie edhe në vepra nga urrejtja.
“Duke parë parasysh se shoqëria në Maqedoni paraqet një shoqëri multikuturore dhe ku jetojnë më shumë komunitete etnike, gjuha e urrejtjes paraqitet njësoj për të gjithë, si nga etniteti shqiptar ashtu edhe nga ai romë. Ajo që me të vërtetë shqetëson është se gjuha e urrejtjes shpeshherë është e përcjellë edhe me vepra nga urrejtja. Shpesh ndodhë të kemi gjuhë të urrejtjes në ndeshjet sportive nga nacionalitete të ndryshme dhe më pas në këtë ndeshje pasojnë edhe përplasjet”- deklaroi koordinatorja e projektit, Elena Brmbeska.
Sipas analizës, mediat më së shpeshti e përhapin gjuhën e urrejtjes edhe atë sipas orientimit politik dhe seksual.
Përfundimet nga analiza, Komiteti i Helsinkit do t’i ndajë me të gjitha institucionet kompetente, me qëllim që të përforcohet praktika gjyqësore për ndjekjen e gjuhës së urrejtjes.
Koço Andonovski, drejtor i Qendrës LGTB, tha se gjuha e urrejtjes në10 vitet e fundit ka marrë një progres të madh, ndërkaq institucionet kompetente nuk kanë ndërmend të luftojnë këtë.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
