Tensione në Prishtinë, opozita kundërshton ashpër arrestimin e Kurtit

13.10.2015 16:38

Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë deklaruar se ndalimi i djeshëm i deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, për marrje në pyetje është bërë me urdhër të një prokurori nga Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës...

Përmes një komunikate për shtyp, Prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorim të armëve”. 

Për rrjedhojë, pas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti. Sipas Pokurorisë, deputeti Kurti është pyetur në ambientet e stacionit policor, në prani të avokatit mbrojtës dhe menjëherë më pas është liruar.  Ngjashëm shprehet edhe Baki Kelani nga Policia e Kosovës.    

"Prokurori kompetent ka dhënë urdhër që të sillet në intervistim personi i cili dyshohet se ka hedhur mjetin e dyshimtë”- tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.            

Por, të njëjtën nuk e pohon deputeti, Albin Kurti, i cili pas lirimit tha se nuk i është dorëzuar kurrfarë urdhër-arresti. 

“Erdhën nja tre policë të Njësisë Hetimore për Krime të Rënda dhe më dërguan nëpër disa zyra, nëpër korridore shumë të gjata, dhe këta më premtuan se së shpejti do të vijë prokurori, nuk erdhi as prokurori. Pra, unë u ndalova, u arrestova, u lirova pa asnjë dokument, pa asnjë fletë të shkruar. Kjo është arbitraritet i plotë”- deklaroi deputeti i VV-së, Albin Kurti.                                

Arrestimin e Kurtit e kundërshtuan fuqishëm tri partitë opozitare dhe përkrahësit e Kurtit me anë të protestave.

“Ju nuk keni të drejtë të kidnaponi qytetarë. Nuk është e ligjshme me e marr njeriun pa i dhënë kurrfarë dokumenti”- theksoi kryetar i VV-së, Visar Ymeri.

“Nuk është në rregull, keni vepruar jo në përputhje me ligjin. Deputeti nuk ka bërë diçka të fshehtë, ai e ka bërë haptas në Parlament edhe ai edhe kolegët e tij”- u shpreh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.   

Pas arrestimit të Kurtit erdhi edhe deri te përleshja e protestuesve me policinë, me ç’rast u njoftua për më shumë se 15 të lënduar, në mesin e të cilëve edhe policë.

Nga ana tjetër, kryeministri, Isa Mustafa, ka deklaruar se dhuna është e papranueshme si mjet politik. Ndërsa PDK konstatoi se kufizimi i punës normale në institucione demokratike dhe përdorimi i dhunës në këto institucione apo edhe jashtë tyre, sikur ndodhi mbrëmë, nuk përkojnë me veprimet politike që duhen të përdoren në një shtet demokratik ndaj institucioneve demokratike dhe shtetërore. Por, opozita thotë se nuk është ajo që po përdorë veprime anarkike, por Qeveria dhe kryeministri.

Po ashtu, opozita thotë se është e vendosur që të vazhdojë deri në fund me bllokimin e seancave, derisa kryeministri Mustafa nuk e tërheq nënshkrimin për Marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel. (Gyltene Sinani, TVM2)