Debat mbi ekonominë e zezë, ekonomia e fshehur në zonat me papunësi të madhe

13.10.2015 16:42

Papunësia dhe besueshmëria e paktë ndaj institucioneve janë disa nga shkaqet kryesore të ekonomisë jolegale në Maqedoni, pasi që e shtyjnë qytetarin që të pranojë punë të palajmëruar...

Ndërsa puna në të zezë, d.m.th. puna e palajmëruar, si dhe të hyrat e fshehura në ndërmarrje janë segmentet më të mëdha të ekonomisë së fshehur në Maqedoni.

Emill Shurkov nga Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave informoi se më shumë ekonomi të fshehur ka në zonat ku papunësia është më e madhe.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për shkak se një pjesë e këtyre punëtorëve janë të kategorive të prekura, janë të papunë për një kohë të gjatë, të rinj të papunë apo janë me të ardhura të ulëta. Pra, nuk mundet që me masa represive të ndikohet te kjo kategori e punëtorëve. Por, duhet që të rritet numri i të ardhurave të tyre, që të kenë motiv për të dalë nga ekonomia joformale në ekonomi formale”- deklaroi Emill Shurkov nga Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave.

Përfaqësues nga Bullgaria theksojnë se partitë politike duhet të punojnë për të rritur besimin e qytetarëve.

“Këtu shumë gjëra duhet të punohen, sidomos në aspekt të aktiviteteve të partive politike, edhe të bllokut maqedonas edhe atij shqiptar, në aspektin e ngritjes së besueshmërisë së opinionit ndaj politikave të Qeverisë dhe Parlamentit, dhe duhet të ndërmerren aktivitete për të luftuar ekonominë e zezë”- tha Rusllan Stefanov nga Forumi Ekonomik në Bullgari.

Sipas autoriteteve, duhet që të ngrihet vetëdija e qytetarëve për të paguar tatimet. Megjithëse Kollin Williams, profesor i Universitetit të Shefilldit, vlerëson se tatimet e larta nuk janë shkaku për mospagesën e tyre, por ajo është për shkak të mungesës së besimit të qytetarëve ndaj pushtetit dhe institucioneve. (Ersan Pajaziti, TVM2)