ShBA dhe BE: Të kompletohet ekipi i prokurores speciale

13.10.2015 16:56

Ambasada e ShBA-ve dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët kërkojnë që Këshilli i Prokurorëve Publik të emërojë ekipin e prokurores speciale, me qëllim që të mund të fillojë përmbushjen e mandatit për të cilin është zgjedhur...

“Emërimi i shpejtë i Katica Janevës si prokurore publike për hetim të komunikimeve të përgjuara, propozimi i saj në kohë të ekipit të prokurorëve pranë Këshillit për Prokurorë Publik, si dhe dorëzimi i planit të saj të punës, personelit dhe fondeve në Parlament, Qeveri dhe në Këshillin e Prokurorëve Publik janë të gjitha zhvillime pozitive. Është me rëndësi kritike që Këshilli i Prokurorëve Publik të përmbush rolin që i është përcaktuar në Ligjin për hetim të komunikimeve të përgjuara dhe të emërojë ekipin e zonjës Janeva, me qëllim që zyra e saj të mund të fillojë përmbushjen e mandatit dhe të bëjë detyrat e veta në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë formë të presionit politik”- thuhet në komunikatën e përfaqësive diplomatike të SHBA-ve dhe BE-së.

Nga misionet diplomatike të SHBA-ve dhe BE-së kanë siguruar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në nevojën për trajnim dhe mbështetje teknike për zyrën e Prokurorit Special për hetim të komunikimeve të përgjuara.

Ndërkohë, nga Këshilli i Prokurorëve Publik kanë njoftuar se për nesër kanë caktuar seancë, ku në rend dite është edhe zgjedhja e 14 prokurorëve të propozuar nga prokurorja speciale.

Siç thuhet në njoftimin zyrtarë në seancën e 26- të, Këshilli do të ketë në rend dite shqyrtimin e  punës së përgjithshme, planin personel dhe financiar të Prokurorisë për ndjekjen e veprave penale të lidhura dhe që dalin nga përmbajtja e ndjekjes të paautorizuar të komunikimeve, si dhe zgjedhjen e prokurorëve publik të propozuar në listën e kandidatëve për prokuror publik për ndjekjen e veprave penale që dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paautorizuar të komunikimeve.

Janeva, dy javë më para përpara Këshillit dorëzoi listë prej 14 prokurorëve të cilët pret që të jenë pjesë e ekipit të saj. Këto dokumente Janeva i ka dorëzuar edhe në Kuvendin Republikan dhe në Qeveri. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)