Maqedoni

Grupet e punës, VMRO nuk pranon propozimet e Vanhauttes

13.10.2015 17:31

Edhe pse afati për arritjen e marrëveshjes për Kodin Zgjedhor ishte 6 tetori, përfaqësuesit e katër partive politike assesi të arrijnë marrëveshje për këtë çështje...

Mbrëmë ndërmjetësi ndërkombëtar, Piter Vanhautte, pasi ka vënë në tavolinë propozimet e tij për Kodin Zgjedhor, që kanë dalë kryesisht nga propozimet e partive në bisedime, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së kanë kërkuar pauzë për konsultime brenda-partiake, por pas pritjes së gjatë, deri në orën 2:30 të mëngjesit, pjesëmarrësit janë detyruan ta anulojnë takimin.
 
Bisedimet vazhdojnë edhe sot, por pengesë kryesore mbetet votimi i diasporës. Mësohet se, propozimi i Vanhauttit ka përfshirë dy mundësi: vendosjen e pragut për kalimin e deputetëve të diasporës, ose që mërgata të votojë për mandatet brenda vendit. Por, të dyja kanë qenë të papranueshme për VMRO-DPMNE-në.
 
Çështje tjetër është kufizimi i harxhimeve për fushatën zgjedhore. Ligji aktual parashikon që partitë mund të shpenzojnë më së shumti 180 denarë për një votues të regjistruar, ndërsa LSDM-ja kërkon uljen e pragut për më shumë se gjysma.
 
Ky propozim është refuzuar ashpër nga VMRO-DPMNE, edhe pse të dhënat nga zgjedhjet e fundit tregojnë se partia e Gruevskit ka shpenzuar shumë më pak se maksimumi i lejuar.
 
Mosarritja e marrëveshjes për Kodin Zgjedhor ka shqetësuar komisionerin për zgjerim, Johanes Han. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë se Han është seriozisht i shqetësuar nga pasuksesi i katër partive kryesore politike në Maqedoni dhe se me atë që janë kapërcyer të gjitha afatet për implementimin e marrëveshjes politike nga dy qershori dhe pesëmbëdhjetë korriku.
 
“Komisari Han me shumë vëmendje po e ndjek implementimin e marrëveshjes politike në Shkup. Ai në tërësi është në rrjedha me shtyrjet momentale në sjelljen e vendimeve për çështjet kyçe. Ai është i shqetësuar se disa prej afateve që janë kontraktuar nga ana e liderëve politik nuk janë plotësuar. Është e nevojshme që urgjentisht të bëhet përparim në sjelljen e vendimit në lidhje me reformat zgjedhore dhe përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të sigurohet një funksionim i drejt i zyrës së Prokurorit Special dhe formimit të Komisionit Anketues”.
 
Sipas Kocijançiç, Brukseli pret që “vullneti politik duhet përkthyer në marrëveshje për çështjet e hapura, me kompromis nga të gjitha anët dhe në interesin e vendit”.
 
“Komisari Han shpreson në përkushtimin për implementimin e tërësishëm të marrëveshjes politike nga ana e katër partive politike, do të mundësojë finalizimin e marrëveshjes për të gjitha këto çështje në afat më të shkurtër, pasi që koha po ecë”- thotë Kocijançiç. 
 
SANIJE KASAMI