Botë
Sulme të reja ruse në Siri, aktivistët akuzojnë se po sulmohen caqe civile
14.10.2015 14:20
Një qytet pranë Alepos në Siri është granatuar rëndë nga avionët rusë...

Një video e xhiruar në Darret Azzeh tregon se si avionët rusë fluturojnë mbi qytet dhe hedhin bomba mbi të.
Banorët thonë se disa njerëz janë lënduar dhe janë dërguar në spital. Një tjetër video, që thuhet se është filmuar në Hajan pranë Alepos, pas sulmeve të avionëve rusë, tregon civilë të lënduar dhe njerëz që në panik përpiqen të largohen nga shtëpitë e tyre të kthyera në gërmalla.
Atje shihen edhe ekipet mjekësore që ndihmojnë të lënduarit. Fushata ajrore ruse pretendon të godasë militantët e “Shtetit Islamik”, por shumë shtete besojnë se ajo është ndërmarrë për të ndihmuar aleatin rus, Bashar al Asad, të mbetet në pushtet.
Fushata ajrore ruse vuri në alarm ShBA-të të cilat veç më kanë aksione kundër IS-it në Siri dhe Irak. Analistët thonë se shumë nga raketat ruse kanë goditur grupet që luftojnë kundër Asadit, shumica e të cilave mbështeten nga ShBA-të.
Të martën në Damask, dy raketa goditën Ambasadën ruse derisa para saj mbahej një demostratë pro sulmeve të Moskës, por nuk ka të dhëna për dëme në njerëz apo dëmtim të vetë ndërtesës së Ambasadës.
Rusia ka goditur 88 caqe në 24 orët e fundit, por shumica prej tyre kanë qenë në zona të kontrolluara nga rebelët që duan të rrëzojnë nga pushteti Asadin. Vetë Shteti sirian akuzon Evropën se po përpiqet të keqintepretojë qëllimet e mira ruse për të luftuar terrorizmin.
Sulmet ruse e gjetën të papërgatitur administratën e Obamës, e cila përpiqet të mbrohet nga IS-is, duke kërkuar në të njëjtën kohë dorëheqjen e Asadit.
BELINDA KOKA ADEMI
