Maqedoni
Përmbarimi, memorandum mes Kosovës dhe Maqedonisë
14.10.2015 14:29
Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë dhe Oda e Përmbaruesve Privat në Kosovë nënshkruan Memorandum për bashkëpunim...

Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë dhe Oda e Përmbaruesve Privat në Kosovë nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, që ka për qëllim shkëmbimin e përvojave të përmbarimit.
“Si Odë e Përmbaruesve mund të ju japim përkrahje Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, si me përvojë ashtu edhe me propozim vendime të cilat funksionojnë në Maqedoni dhe njëkohësisht të jemi përkrahës për themelimin e raporteve me Odën Botërore të Përmbaruesve dhe vendeve të tjera fqinje”- deklaroi kryetari i Odës së Përmbaruesve, Zoran Petreski.
Kryetarja e Odës së Përmbaruesve Privat nga Kosova, Emine Lubeniçi, tha se ky Memorandum kontribuon në avancimin e sistemit të ri për përmbarim privat në Kosovë. Siç theksoi ajo, njëra ndër problemet kryesore mbetet përmbarimi tejkufitar, rastet kur kreditori është në një shtet, ndërsa vendbanimi i debitorëve në vend tjetër.
“Njëra ndër sfidat është edhe përmbarimi tejkufitar ose bashkëpunimi në realizimin e kërkesave të kreditorëve ndaj debitorëve me seli apo vendbanim në Maqedoni ose Kosovë, për të cilën mbetet të rregullohet nga nivelet më të larta shtetërore. Rastet që janë zgjedhur diku përafërsisht 1 vit kanë qenë 3500 raste. Shuma totale që janë përmbaruar dhe iu kanë kthyer kreditorëve mjetet ka qenë mbi 25 milion”- tha kryetarja e Odës së Përmbaruesve Privat të R. Kosovës, Emine Sherifi Lubeniçi.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi, Maqedonia përmbyll procesin e bashkëpunimit në sferën e përmbarimit me vendet fqinje, ndërkaq mbeten të formalizohen edhe marrëdhëniet me Odën e Përmbaruesve të Greqisë, që sipas kryetarit të Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë, nuk janë shumë të favorshme për shkak të çështjeve politike.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
