Maqedoni
BE për Marrëveshjen e Përzhinës: kompromis tani, mendoni për ardhmërinë
14.10.2015 14:41
Bashkimi Evropian me seriozitet po ndjek zhvillimet politike në vend, që janë rrjedhojë e Marrëveshjes së Përzhinës...

Nga KE kërkojnë tejkalimin e mosmarrëveshjeve politike. Nga Komisioni Evropian thonë për TVM2, se janë të shqetësuar nga tejkalimi i afateve për miratimin e rregullativës zgjedhore dhe kërkojnë marrëveshje jo vetëm për Kodin Zgjedhor, por edhe krijimin urgjent të kushteve për fillimin e punës së prokurores speciale.
“Komisioneri Hahn po ndjek nga afër zbatimin e marrëveshjes politike në Shkup dhe vonesat aktuale në vendimmarrje për çështjet e rëndësishme. Ai është i shqetësuar se disa prej afateve të rëna dakord nga liderët politikë nuk janë përmbushur akoma. Progresi duhet të bëhet urgjentisht në vendimet lidhur me reformat në zgjedhje dhe Këshillin Shtetëror të Zgjedhor, mjetet e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur të zyrës së Prokurorisë Speciale dhe ngritjen e ekipit hetimor. Vullneti politik duhet të tejkalohet në një marrëveshje të shpejtë mbi çështjet e pazgjidhura, me kompromis nga të gjitha palët, në interesin e vendit”- thuhet në përgjigjen e marrë nga Komisioni Evropian.
Nga shërbimi informativ i eurokomisarit, Johanes Hahn, thonë se BE shpreson se angazhimi i shprehur për zbatimin e plotë të marrëveshjes politike nga të katër partitë politike do të lejojë finalizimin e marrëveshjes për të gjitha këto çështje për një kohë të shkurtër, ngaqë, sipas tyre, koha po ecë dhe vendit nuk i ka ngelur hapësirë kohore deri në zgjedhjet e prillit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
