Botë
Opozita e vendosur të bllokojë, në shënjestër zëvendësministri Selimi, u qëllua me vezë
14.10.2015 15:02
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pa prezencën e përfaqësuesve të opozitës që vazhdojnë bojkotin, ka vendosur që nesër prej orës 10, Kuvendi të mbajë seancën e radhës...

Kryetari, Kadri Veseli, duke folur për bllokimin e punës së Kuvendit, ka thënë se ajo çfarë po ndodh nuk është për fajin e Kuvendit dhe ka theksuar se Kosova është duke u futur në një krizë, ku opozita përmes Kuvendit po synon ta nisë një lëvizje të madhe, apo revulucion.
Veseli nuk përjashton mundësinë që në seancës e radhës, në sallën e Kuvendit të mund të futet policia, nëse do të vijë deri te konfrontimi fizik mes deputetëve, apo nëse eventualisht vërehen armë. E për të shmangur diçka të tillë, deputetët do t’u nënshtrohen masave të rrepta të kontrollit.
“E gjitha që mundohemi të bëjmë është të evitojmë problemin. Do të ballafaqohemi, prej meje si kryetar i Kuvendit e deri te opozita. Unë nuk e kam obligim të qëndroj as mirë e as keq me askënd, përpos kësaj rregullore që është”- deklaroi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Veseli ka reaguar edhe për arrestimin e deputetit, Albin Kurti, ditë më parë nga Policia, për çka tha se Kuvendi nuk ishte njoftuar.
“Një deputet i Kuvendit të Kosovës është arrestuar, nuk kemi njoftim, nuk kemi pasur njoftim as paraprak as pasi ka ndodhur situata”- tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka vlerësuar se dhuna në Kuvend është e papranueshme dhe se duhet të zhbllokohet puna e këtij institucioni.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar përmbajtje që të mos bihet në grackën dhunënxitëse të opozitës. Por, opozita është zotuar se do të vazhdojë me bllokimin e punës së Kuvendit edhe në seancën e radhës, ndërsa edhe sot ajo nuk ka qëndruar duarkryq.
Mëngjesin e sotëm aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar me vezë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimin. Aksioni është zhvilluar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, derisa Selimi po dilte nga objekti.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë pranuar se aksioni është zhvilluar nga aktivistë të kësaj lëvizje.
GYLTENE SINANI
