Molos Partini kërkon lirimin e Ballist Morinës, lirojeni atë që në Beograd bëri krenarë të gjithë shqiptarët

14.10.2015 15:20

Si sot, një vit më parë, në stadiumin e Partizanit në Beograd, në minutën e 42, valoi flamuri i Shqipërisë etnike, një akt që nxiti incidente në stadium, por që bëri krenarë të gjithë shqiptarët...

Kryerësi i këtij akti, Ismail Morina, i njohur ndryshe me pseudonimin “Ballisti”, tani ndodhet prapa grilave, i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Ballisti në Beograd nuk ishte  vetëm, atë e shoqëroi djaloshi shkupjan, Molos Partini, me të cilin realizuan planin e tyre. Molosi me një notë proteste ndaj Qeverisë shqiptare drejtuar përmes Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, kërkon lirimin urgjent të shokut të tij.

“Ballisti nuk meriton të jetë në burg, ngase nuk ka kryer asnjë vepër dhe nuk ka cenuar askënd. Ai meriton respektin tonë, edhe atë përderisa është gjallë dhe është mes nesh. Ftoj institucionet e shtetit që të lirojnë Ballistin, edhe atë menjëherë, që sot. Mos e bëni atë që para një viti ëndërronte ta bënte Qeveria serbe, andaj lirojeni Ballistin. Me Ballist Morinën dhe me plis, drejt fitoreve në Paris! Liri për Ballistin”- ka thënë Molos Partini.

Ai gjithashtu bëri thirrje që për lirimin e Ballist Morinës të angazhohet edhe kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, bashkë me lojtarët tjerë shqiptarë, pasi që, sipas Molosit, në këto ditë feste për Kombëtaren Ballisti duhet të jetë mes nesh. (Ersan Pajaziti, TVM2)